ZRRE respekton vendimin e Supremes, por liberalizimi i tregut energjetik mbetet në fuqi

Zyra e Rregullatorit për Energjisë (ZRRE) ka vendosur të mos heqë dorë nga vendimi për liberalizimin e tregut energjetik, megjithatë në mbledhjen e sotme rregullatori energjetik vendos zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme, vendim ky i cili i shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi dy nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.
Gjykata Supreme i shpalli të paligjshëm nenin 8 të Udhëzuesit të datës 18 janar 2017, si dhe u shfuqizua neni 2 i Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë, i ndryshuar më 13 qershor 2018 dhe më 30 tetor 2018, i miratuar më 28 mars 2019.
Ndërsa, vendimi i Supremes erdhi pas padisë nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kundër ZRRE-së, lidhur me detyrimin e bizneseve për të dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Departamentit Ligjor në ZRRE, Ymeridin Misini tha se vendimi i Supremes nuk ka konstatuar mungesë të bazës ligjore për liberalizim të tregut.
Ai tha se shkalla më e lartë gjyqësore konstatoi se nenet e shfuqizuara kanë shkaktuar paqartësi juridike për konsumatorët.
“Duke konstatuar se këto dispozita kanë shkaktuar paqartësi juridike për konsumatorët për shkak të mungesë së arsyetimit të mjaftueshëm dhe interpretimit të kuadrit ligjor në raport me direktivën 2009/72 të BE-së….Gjykata ka sqaruar se e drejta për shërbim universal u takon vetëm konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve të vogla, të cilat sipas përkufizimit të detyrueshëm të direktivës janë ndërmarrjet me më pak se 50 punëtorë dhe me qarkullim jo më shumë se 10 milionë euro… Për rrjedhojë Gjykata nuk ka konstatuar mungesë të bazës ligjore për liberalizim të tregut, por vetëm mungesë të arsyetimit në disa dispozita nënligjore të shfuqizuara. ZRRE vlerëson se Gjykata Supreme nuk ka vendosur obligim pozitiv për ZRRE-në, për të nxjerrë një akt normativ të rizëvendësues dhe as nuk ka urdhëruar pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Përkundrazi, Gjykata ka konstatuar se tregu ligjërisht është i hapur dhe se zbatimi i ligjit primar dhe i direktivë 2009/72 vazhdon drejtpërdrejt, pa pasur nevojë për ndërhyrje shtesë normative”, ka thënë tutje ai.
Misini tutje deklaroi se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) vazhdon zbatimin e ligjit për energji, ndërsa vendimi sotëm është deklarativ.
“ZRRE vlerëson se përmes këtij vendimi synohet të sigurohet qartësi juridike, transparencë institucionale dhe zbatim i njëtrajtshëm i një ligji dhe direktivë 2009/72….ZRrE vazhdon zbatimin e ligjit për energji elektrike ashtu siç janë interpretuar nga Gjykata Supreme pa zgjerim apo kufizim të përcaktuara nga ligji primar. Ky vendim është deklarativ dhe konstatues dhe nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon të drejta apo detyrime të reja për konsumatorët apo për pjesëmarrësit në treg”, tha ai.
Ndërsa, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu tha se ky vendim konfirmon zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme sa i përket udhëzuesi.
“Konstatoj se me 5 vota për dhe asnjë kundër, ky vendim konfirmon zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme sa i përket udhëzuesit, i cili ishte shfuqizuar që nga viti 2021, por është konstatuar nga Gjykata Supreme me pezullimin e këtyre dy neneve të këtij udhëzuesi”, tha ai.
Propozimin për përfshirje në rendin e ditës të kësaj pike e bëri anëtari i Bordit të ZRrE-së, Gani Buçaj.
Ndërsa, me 5 vota për u votua edhe Rregulla për Mekanizmin Mbështetës të energjisë së Ripërtëritshme për të cilën, drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji, Petrit Pepaj tha se vendos kornizë rregullative të plotë për funksionim.
Ndërsa, sa i përket Planit të Integritetit 2024-2026, i Zyrës së Rregullatorit për Energji, i cili u miratua po në këtë mbledhje, drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj deklaroi se ky plan trajtohet si instrument praktikë i menaxhimin të rrezikut të integritetit.
Në mbledhjen e sotme Zyra e Rregullatorit për Energji aprovoi 43 kërkesa për vetë-konsum për energji elektrike./B.Ibishi/
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…
